Πέμπτη 25 Απριλίου 2013

MORALISTËT IDEALISTE TE MUNDUR NGA PRAGMATISTËT




                        MORALISTËT IDEALISTE TE MUNDUR NGA PRAGMATISTËT
                                                                                    Nga Petrit Qejvani
            Me moral dhe me  Berishën, apo  pa moral dhe pa Berishën? Kjo është alternativa që shtrohet sot gjithandej në tribunat politike, po dhe në ato mediatike. E gjitha kjo bëhet për të justifikuar aleancën PS-LSI, që i zuri krejt në befasi të gjithë, vecanërisht moralistët idealistë.Si cdo alternativë dhe kjo është shumë dilematike. Cdo zgjedhje nuk është  e lumtur. Në të dy rastet fiton dicka dhe humb dicka. Bile fitorja dhe humbja janë të barabarta. Është pak a shumë si ajo “Sokrat i vuajtur, apo derr i kënaqur”, e cila ka dy zgjidhje: moralistët idealiste do zgjidhnin Sokratin, kurse pragmatistët-derrin. Që do të thotë që moralistët (idealistët) vuajnë, kurse pragmatistët shijojnë përfitimet. Pra, përzënia e Berishës nga pushteti, në këtë rast, përligj cdo kombinacion politik. Në instancë të fundit kjo do të thotë se Berisha, jo vetëm është ë keqja më ë madhe (plotësisht dakord), por dhe një e keqe e cimentuar, që kërkon një mobilizim të jashtëzakonshëm të të gjithë faktorëve politikë për ta larguar. Ndryshe Berisha s’bie!
            Pas kaq vitesh kujtoj thenien e nje kryetari bashkie socialist me 1997, fill pas zgjedhjeve, ku Berisha humbi thellë, i cili tha: Ky bandit s’duhet të lejohet të vijë më kurrë në pushtet! As kjo parti për nja 50 vjet! Unë e di që Berisha është i rrezikshëm dhe shumë i vështirë për t’u mundur demokratikisht.  Ai ka dhënë boll prova për këtë. Dhe tani është ca vonë për ta konstatuar. Dhe doemos shtohet kostua e largimit të tij.        Por c’e ka bërë Berishën, një përbindësh politik, një kucedër me shtate koka, që ka zaptuar të gjitha pushtetet, si kucedra e legjendës, që ka tharë të gjithë krojet ë fshatit? Ku e gjen ky këtë fuqi për të mos u shkulur nga karrigia e pushtetit? Sa fuqi ka ai vet dhe sa i kanë shtuar të tjerët? Që Berisha është i tillë ka disa shkaqe, që duhen evidentuar. Ë para zotësia e tij, aftësitë e tij politike, e dyta, përçarja e së majtës dhe roli negativ i një sharlatani si Nano, e treta, “paterica” LSI më 2009, e katërta, mëndjelehtësia dhe  gabimet politiko-taktike të Edi Ramës, (ndryshimet famëkeqe kushtetuese të 2008 që e bënë atë praktikisht diktator, jo autoritar) dhe e pesta, përkrahja që i kanë dhënë ndërkombëtarët. Por unë mendoj se, mbi të gjitha, Berishën e ka favorizuar mungesa në PS e një lidershipi të fortë, të pjekur politikisht (që s’bën gabime as me kundërshtarin, as me të vetët),  të zgjuar dhe të vendosur në luftën politike.
             Sikur Berisha të kishte përballë simetrikun e tij nga e majta (PS) në aftësi politike , kapacitete dhe vendosmëri, me ato që ka bërë (1996,1997,1998 etj.), në rastin më të mirë sot ai do të ishte pjesë e arkivit politik, do t’i takonte “historisë”. Por është fati i tij që e majta ( në këtë rastPS) nuk e pati një lider të tillë!..
            Aleanca PS-LSI ka tronditur skenën politike shqiptare dhe e ka turbulluat aq shumë situatën parazgjedhore dhe analistët e ndryshëm, saqë disa prej tyre, moralistë të thekur deri dje, pa dalë në skenë kjo aleancë, tani janë shndërruar në pragmatistë “moralistë” duke na kënduar refrenin bajat  më mirë pa moral dhe pa Berishen, se me Berishën në pushtet. Sipas tyre kjo shoqëri është amorale ( dhe nuk bëjnë ndonjë gabim të madh) dhe prandaj sakrificat morale pa rezultate politike pozitive s’ vlejnë dy lekë!.. Me një fjalë ata e trajtojnë këtë njëlloj si fruthi, i cili duhet kaluar pa tjeter në jetën e njeriut. Me gjithë shkallën e lartë të amoralitetit unë mendoj se morali nuk ka vdekur te të gjithë, sepse një shoqëri amorale nuk ka shpresë shërimi, nuk ka forcë të luftojë të keqen, nuk ka shanse të ringrihet, po deshët ju dhe të rilindë. Pse ka patur gjithnjë moralistë bota është bërë më e mirë. Një konstatim i tillë nga ana e tyre është shprehje e rënies morale të shoqërisë sonë në një shkallë të frikshme. Por nga ana tjetër zhveshja e politikës nga morali për hir të një rezultati politik ende të pasigurtë, do të thotë ta shfajësosh atë nga përgjegjësitë para qytetarëve, t’ia kundërvesh qytetarit. Dhe këtu me të drejtë shtohet pyetja: Kur do të japin ndonjëherë llogari politikanët në këtë vend? Pa dhënë llogari politikanët, pa u ndëshkuar ata që bëjnë zullume, ky vend do tërhiqet zvarrë pas qerres së tyre të molepsur. Mirëpo ndëshkimin ta jep morali. Pa moral, s’ka ndëshkim dhe pa ndëshkim, s’ka korrigjim të së keqes. Të tjerat janë pallavra. Por kjo marrëveshje vret moralin dhe shpresën për të nesërmen.Ose, së paku, e cungon atë.
            Ndërsa analistët janë ndarë në dy kampe: ose Aleanca PS-LSI dhe pa Berishën, ndonëse e pamoralshme, ose me moral dhe me Berishën në pushtet. Këtë aleancë e mbrojnë më tepër natyrisht ata që e gatuan, por dhe analistë të ndryshëm rreth tyre apo edhe të pavarur, të cilët i ka lodhur Berisha. Ndërsa e kritikojnë si të pamoralshme edhe  të tjerë zëra, jo vetëm militantë të PS, por edhe intelektualë pa parti. Këtu nuk ë kam fjalën për ata që bëjnë lojën e pushtetit, por për moralistët prej vërteti.
            Largimi i Berishës është bërë makth, gati quhet fatalitet! Kjo tregon përgjegjësinë e shumicës qytetare, që nuk e voton Berishën dhe, sidomos, të opozitës politike, pale të shoqërisë civile të paqënë per te perzene nga pushteti nje kolltukofag te pandreqshem. Pasthirrmat e tjera të lëshuara me shumicë këto ditët e fundit se duhet ndryshuar populli, apo se të gjithë jemi amoralë, se cdo qelbësirë duhet të bashkohet për ta rrëzuar Berishën, tregon lodhjen dhe dëshpërimin që ka kaplluar pjesën  e shoqërisë, që refuzon Berishën. Populli dihet që është turmë, pa liderat. Prandaj duhet bariu. S’mund të fajësohet delja pse e ha ujku, por bariu. Prandaj janë udhëheqësit, që të gjejnë rrugën, kur kjo mungon për të tjerët.
            Lidershipi socialist, duke dashur të qetësojë të zhgënjyerit e vet moralistë, deklaron se kjo aleancë u bë, pasi nuk e kishim të sigurtë fitoren, sepse Berisha do na vidhte prapë votat!..Kjo deklaratë është e sinqertë, por njëherësh e gabuar politikisht në dy aspekte: në të parin se legjitimon vjedhjen e zgjedhjeve në demokraci, domethënë të pushtetit dhe në të dytin se demoralizon votuesit e tu, të cilët s’kanë pse hedhin një votë, që do u rrëmbehet nga Berisha, per shkak te dobesise se  lidershipit te opozites. Pastaj, si mund të thuhet kaq thjesht një gjë ë tillë në mes të Europës? Si mund të pajohemi me një logjikë të tillë? Si të ishim në Kongo apo në Ruanda! Por Saliu jeton politikisht edhe falë kësaj logjike. Me sa di unë, në asnjë vend tjetër ballkanik nuk ka gjëra të tilla. Atëhere ç’na duhen ndëkombëtarët në mes të Tiranës? C’na duhen arbitra të tillë tifozë të qeverisë? Që të tallen me shqiptarët dhe “demokracinë” shqiptare? Prandaj në këtë sens ndëkombëtarët janë po aq fajtorë sa Berisha për deformimet ë demokracisë në Shqipëri. Dhe këtë jo vetëm media, por edhe opozita duhet ta thotë me zë të lartë. Që të “binden” edhe ata se më kanë të bëjnë dhe jo të mendojnë, sic kanë menduar, se opozitën mund ta qorollisësh kur të duash! Edukatën e opozitës ata e marrin për dobësi. Ata janë ca horra politike, që në vendin ë tyre s’i njeh  njeri dhe këtu tallen me shqiptarët!
            Me sa duket, megjithë deklaratat entuziaste të paradokohëshme se fitojmë edhe pa LSI, disa llogari të frikshme e kanë detyruar opzitën të ndrrojë “fletën”. Fakti që Berisha po përgatit manipulimin e radhës ka imponuar aleancën PS- LSI, moralisht e pajustifikueshme.(Këtë ë kam thënë në një shkrim te botuar ne gazete "DITA" para se të deklarohej kjo aleancë). Por dhe pragmatikisht është e paqartë për shkak të palexueshmërisë së Metës. Dhe këtë Rama e di shumë mirë, prandaj përpiqet të na e justifikojë me “gogolin” Berisha. Rama është i trembur kësaj radhe se një humbje e mundshme do ishte e fundit për të. Kjo frikë është shenjë dobësie dhe mungesë guximi. Për moralistët  kjo aleancë shihet me dyshim dhe fitorja, edhe e papastër, ju duket e largët dhe nuk ua ngroh zemrat.
            Në një shkrim rreth një vit më parë kam theksuar se, që opozita të vijë në pushtet, veç të tjerave, duhet të paktën të sigurojë hapjen e kutive të votimit me kod zgjedhor (kur dyshohet për manipulim me kërkesën e dy anëtarëve të KQZ, pa apelim në kolegjin zgjedhor, pra, pa të hedhur Saliu degë më degë si më 2009) si dhe t’i rrëmbejë Berishës aleatët e vet, ndëkombëtarët. Kaq do ishte  mjaftueshme për një fitore të pastër politike dhe morale.


8 prill 2013  Shkruar per blogun Petrit Qejvani "Fjala ime"

Παρασκευή 5 Απριλίου 2013

“ 360o “ OSE “OPINION” NË NJË EKRAN TJETËR



   
                                                                                   
                                                                                   
           
            Gjithkush që ndjek politikën dhe emisionet politike në Shqipëri nuk e ka të vështirë të dallojë në këtë prag fushate të nxehtë  elektorale se propaganda qeveritare ka hapur edhe një “frëngji të re” ku ka instaluar edhe një “grykë tjetër zjarri” kundër opozitës dhe shtypit opozitar, emisionin  me një logo të vjetër dhe gazetar të vjetër “360o“ te A.Zhejit. Por kësaj here me një qëndrim të ri të autorit.
             Emisioni është larg standardeve të pretenduara të moderacionit dhe paanësisë ndaj publikut, megjithë kamuflazhin prej “të pavaruri” që rreket të demostrojë autori, falë edhe pamjes prej babaxhani apo bonhomiesë së tij, siç do thoshnin frëngjit.          Sigurisht, nuk ka asgjë të keqe që një gazetar të jetë i djathtë apo i majtë. Kjo është bota, me dikë do jemi shpirtërisht, politikisht, moralisht. Por na takon në radhë të parë të jemi të sinqertë me vetveten, pastaj me të tjerët. Kjo ka të bëjë me profilin e gjithkujt, me identitetin. Fatkeqësisht nuk ka gjithmonë një zonë boshe , shpëtimtare, midis së majtës dhe të djathtës, së dobishmes dhe së dëmshmes, së mirës dhe së keqes, ku të strehohen ata që nuk duan të identifikohen ose ata të cilëve u mungon fuqia të vetpërcaktohen. Pra, zotin Zheji nuk e kompromenton qëndrimi djathtas, por pozimi fals, që bën. Ai ndërkohë që flet qartazi “djathtas”, kërkon të na mbushë mendjen se flet nga “qendra”.Thënë shkurt, ajo që nuk shkon është shtirja e tij. Dhe zoti Zheji ka bërë një rrugë të mundimshme nga e majta në të djathtë, duke i rënë nga “qendra” ë majtë, nga LSI drejt PD-së, rrugë që veç mundimeve , i ka sjellë edhe benefice jo të vogla…Nga mik i Nanos dikur në mik të Metës, pastaj të Berishës. Dhe ky mendojme ne është shkaku i qëndrimeve antiopozitare. Atë e tremb rruga e pershkuar.
            Sidoqofte besoj se pakkush do ta mendonte që ai, që dikur dukej një njeri i përmbajtur, të shndërrohet në një njeri që s’i lë rast përfaqësuesve të opozitës pa i ndërprerë kur i fton në studion e tij. Kjo metamorfozë është ekstreme, por gjithsesi e shpjegueshme me beneficet e fituara nga pushteti.Interesante është se ai në pamjen e parë të jep përshtypjen e një “të panxituari”, të një fjalështruari (ndoshta dhe për shkak të timbrikës jo tingëlluese), por, kur nuk i pëlqen përgjigja e pyetjes së vet provokuese nga përfaqësuesit e opozitës, pra kur përgjigja është antiqeveri e sidomos antikryeministër, nuk të lë të flasësh, e jep përgjigjen vet, përzien moderatorin me analistin proqeveritar, bile, në jo pak raste, të sugjeron edhe përgjigjen që duhej të jepje!…Thjesht shndërrohet në një zhurmues. Mirëpo kështu e mbron keq maxhorancën, sepse e mbron me fanatizëm, pa elegancë, pa etikë. Kjo është kaq e vërtetë, saqë ai e ka bërë dhe me dy-tre deputetë të fortë të opzitës, të njohur si gojëtarë dhe argumentues, duke folur paralel me ta, me qëllim që  të mos dëgjohen përgjigjet e tyre, duke na krijuar një bezdi edhe neve që e ndiqnim. Në ekran ky moderator shndërrohet në një avokat agresiv të qeverisë. Bile, edhe kur ndodhet para argumentash që ia bëjnë “mu” mezi tërhiqet, duke thënë: dakord, kjo qeveri është ë korruptuar, po ju c’garanci na jepni se do ta luftoni korrupsionin? Dhe, sapo opzitarët i përgjigjen se si do ta luftojnë korrupsionin, i ndërpret: me fjalë thoni ju?, duke marrë një pozicion açik prej hileqari për të turbulluar opinionin, shikuesit  që e ndjekin. Dhe vazhdon: pse, meqë thoni kështu, duhet t’ju besojnë?
            Po nuk e ka mësuar ende Zheji se opozita vetëm fjalën ka, sepse nuk është në pushtet? Kur të vijë në pushtet do t’i kërkojmë veprat. Pra , me fjalë, mëmërit më në fund, duke ia dhënë fjalën përfaqësuesve të qeverisë,  i kënaqur që i “mundi” opozitarët. Me këtë rast duam t’i kujtojmë z.Zheji deklaratën që bëri ambasadori danez vjet në verë para gazetarëve, kur e pyetën: si mund të luftohet korrupsioni, zoti ambasador? Dhe ai iu përgjigj me një thjeshtësi proverbiale: duke mos bërë korrupsion. Pra, është çështje vullneti, zoti Zheji dhe jo pamundësi praktike! Dhe kjo qeveri nuk e ka këtë vullnet. Dhe pikë!…
            Në të vërtetë ky qëndrim i Zhejit është në sinkron të plotë me strategjinë proqeveritare të shprehur në një shkrim të tij muaj më parë, ku, duke pranuar me dhimbje disa mosrealizime të maxhorancës dhe të faktit që kjo qeveri ka ministra që s’kanë ç’të thonë më, megjithatë shprehej ai, Berisha herëpashere hedh ndonjë ide ( si psh.ideja “fanastike” që 16-vjeçarët të votojnë! P.Q), të shtie ndonjë vezë në kaçile, kurse lideri i opozitës nuk frymëzon. Dhe ngushëllohej duke përfunduar afërsisht: së paku me Berishën e hamë ndonjë omëletë, kurse me Ramën s’e kemi të sigurtë edhe këtë…Shërbim më të madh nuk mund t’i bësh qeverisë Berisha. Kështu ai na shfaqet si avokat i mosndryshimit, si kundërshtar i rotacionit politik në demokraci, duke çimentuar të keqen. Në shume raste bën ironi aspak të hollë me tezat e opozites e, sidomos me Ramën, duke thyer çdo etikë. Me sa duket ka diçka personale me Ramën…
             Në krye të shkrimit krahasoj “Opinion” të Fevziut me “360o“ të Zhejit. Janë në fakt i njëjti emision për nga fryma, por në dy ekrane të ndryshme. Pra, janë të dy të rreshtuar pro Berishës, por jo të njëjtë. Si çdo krahasim dhe ky çalon. Pa dyshim që ‘Opinion” ndiqet më shumë, por edhe për një arsye tjetër: Fevziu është më xhentëlmen me opozitarët. Edhe pse s’i pëlqen mendimet e tyre, i kalon më me elegancë dhe as i zhurmon, kur ata flasin.. Pra, nga pikëpamja etike ai shfaqet më korrekt. Ai nuk fshihet, është militant i PD-së në median vizive dhe këtë ë dinë të gjithë. Ne mund të mos na pëlqejë përzgjedhja që ka bërë, por jo sjellja e tij. Ai shfaqet sç është. Kurse Zheji kërkon të shfaqet siç nuk është. Në thelb ai është po kaq fanatik sa i pari dhe e identifikon veten aq shumë me qeverinë dhe Berishën, saqë në një prej emisioneve të fundit ku kishte ftuar katër gazetarë, në një moment të rrallë sinqeriteti, i prekur që njeri prej tyre po kritikonte Berishën, tha, duke debatuar me të ftuarit, kuptohet se të gjitha fajet i ka Berisha, i dyti jam unë!...(Cfare vetdemaskimi mallengjyes!)Ky pohim s’ka nevojë .për koment. Natyrisht kjo është zgjedhja e tij. Ne nuk e kritikojmë Zhejin për zgjedhjen, por për sjelljen…Me publikun nuk mund të luash hipokritin, se blofon shpejt…
Date 3 Prill 2013,   Shkruar per blogun  Petrit Qejvani "Fjala ime"