Gjithkush që ndjek politikën dhe emisionet politike në Shqipëri nuk e ka të vështirë të dallojë në këtë prag fushate të nxehtë elektorale se propaganda qeveritare ka hapur edhe një “frëngji të re” ku ka instaluar edhe një “grykë tjetër zjarri” kundër opozitës dhe shtypit opozitar, emisionin me një logo të vjetër dhe gazetar të vjetër “360o“ te A.Zhejit. Por kësaj here me një qëndrim të ri të autorit.
Emisioni është larg standardeve të pretenduara të moderacionit dhe paanësisë ndaj publikut, megjithë kamuflazhin prej “të pavaruri” që rreket të demostrojë autori, falë edhe pamjes prej babaxhani apo bonhomiesë së tij, siç do thoshnin frëngjit. Sigurisht, nuk ka asgjë të keqe që një gazetar të jetë i djathtë apo i majtë. Kjo është bota, me dikë do jemi shpirtërisht, politikisht, moralisht. Por na takon në radhë të parë të jemi të sinqertë me vetveten, pastaj me të tjerët. Kjo ka të bëjë me profilin e gjithkujt, me identitetin. Fatkeqësisht nuk ka gjithmonë një zonë boshe , shpëtimtare, midis së majtës dhe të djathtës, së dobishmes dhe së dëmshmes, së mirës dhe së keqes, ku të strehohen ata që nuk duan të identifikohen ose ata të cilëve u mungon fuqia të vetpërcaktohen. Pra, zotin Zheji nuk e kompromenton qëndrimi djathtas, por pozimi fals, që bën. Ai ndërkohë që flet qartazi “djathtas”, kërkon të na mbushë mendjen se flet nga “qendra”.Thënë shkurt, ajo që nuk shkon është shtirja e tij. Dhe zoti Zheji ka bërë një rrugë të mundimshme nga e majta në të djathtë, duke i rënë nga “qendra” ë majtë, nga LSI drejt PD-së, rrugë që veç mundimeve , i ka sjellë edhe benefice jo të vogla…Nga mik i Nanos dikur në mik të Metës, pastaj të Berishës. Dhe ky mendojme ne është shkaku i qëndrimeve antiopozitare. Atë e tremb rruga e pershkuar.
Sidoqofte besoj se pakkush do ta mendonte që ai, që dikur dukej një njeri i përmbajtur, të shndërrohet në një njeri që s’i lë rast përfaqësuesve të opozitës pa i ndërprerë kur i fton në studion e tij. Kjo metamorfozë është ekstreme, por gjithsesi e shpjegueshme me beneficet e fituara nga pushteti.Interesante është se ai në pamjen e parë të jep përshtypjen e një “të panxituari”, të një fjalështruari (ndoshta dhe për shkak të timbrikës jo tingëlluese), por, kur nuk i pëlqen përgjigja e pyetjes së vet provokuese nga përfaqësuesit e opozitës, pra kur përgjigja është antiqeveri e sidomos antikryeministër, nuk të lë të flasësh, e jep përgjigjen vet, përzien moderatorin me analistin proqeveritar, bile, në jo pak raste, të sugjeron edhe përgjigjen që duhej të jepje!…Thjesht shndërrohet në një zhurmues. Mirëpo kështu e mbron keq maxhorancën, sepse e mbron me fanatizëm, pa elegancë, pa etikë. Kjo është kaq e vërtetë, saqë ai e ka bërë dhe me dy-tre deputetë të fortë të opzitës, të njohur si gojëtarë dhe argumentues, duke folur paralel me ta, me qëllim që të mos dëgjohen përgjigjet e tyre, duke na krijuar një bezdi edhe neve që e ndiqnim. Në ekran ky moderator shndërrohet në një avokat agresiv të qeverisë. Bile, edhe kur ndodhet para argumentash që ia bëjnë “mu” mezi tërhiqet, duke thënë: dakord, kjo qeveri është ë korruptuar, po ju c’garanci na jepni se do ta luftoni korrupsionin? Dhe, sapo opzitarët i përgjigjen se si do ta luftojnë korrupsionin, i ndërpret: me fjalë thoni ju?, duke marrë një pozicion açik prej hileqari për të turbulluar opinionin, shikuesit që e ndjekin. Dhe vazhdon: pse, meqë thoni kështu, duhet t’ju besojnë?
Po nuk e ka mësuar ende Zheji se opozita vetëm fjalën ka, sepse nuk është në pushtet? Kur të vijë në pushtet do t’i kërkojmë veprat. Pra , me fjalë, mëmërit më në fund, duke ia dhënë fjalën përfaqësuesve të qeverisë, i kënaqur që i “mundi” opozitarët. Me këtë rast duam t’i kujtojmë z.Zheji deklaratën që bëri ambasadori danez vjet në verë para gazetarëve, kur e pyetën: si mund të luftohet korrupsioni, zoti ambasador? Dhe ai iu përgjigj me një thjeshtësi proverbiale: duke mos bërë korrupsion. Pra, është çështje vullneti, zoti Zheji dhe jo pamundësi praktike! Dhe kjo qeveri nuk e ka këtë vullnet. Dhe pikë!…
Në të vërtetë ky qëndrim i Zhejit është në sinkron të plotë me strategjinë proqeveritare të shprehur në një shkrim të tij muaj më parë, ku, duke pranuar me dhimbje disa mosrealizime të maxhorancës dhe të faktit që kjo qeveri ka ministra që s’kanë ç’të thonë më, megjithatë shprehej ai, Berisha herëpashere hedh ndonjë ide ( si psh.ideja “fanastike” që 16-vjeçarët të votojnë! P.Q), të shtie ndonjë vezë në kaçile, kurse lideri i opozitës nuk frymëzon. Dhe ngushëllohej duke përfunduar afërsisht: së paku me Berishën e hamë ndonjë omëletë, kurse me Ramën s’e kemi të sigurtë edhe këtë…Shërbim më të madh nuk mund t’i bësh qeverisë Berisha. Kështu ai na shfaqet si avokat i mosndryshimit, si kundërshtar i rotacionit politik në demokraci, duke çimentuar të keqen. Në shume raste bën ironi aspak të hollë me tezat e opozites e, sidomos me Ramën, duke thyer çdo etikë. Me sa duket ka diçka personale me Ramën…
Në krye të shkrimit krahasoj “Opinion” të Fevziut me “360o“ të Zhejit. Janë në fakt i njëjti emision për nga fryma, por në dy ekrane të ndryshme. Pra, janë të dy të rreshtuar pro Berishës, por jo të njëjtë. Si çdo krahasim dhe ky çalon. Pa dyshim që ‘Opinion” ndiqet më shumë, por edhe për një arsye tjetër: Fevziu është më xhentëlmen me opozitarët. Edhe pse s’i pëlqen mendimet e tyre, i kalon më me elegancë dhe as i zhurmon, kur ata flasin.. Pra, nga pikëpamja etike ai shfaqet më korrekt. Ai nuk fshihet, është militant i PD-së në median vizive dhe këtë ë dinë të gjithë. Ne mund të mos na pëlqejë përzgjedhja që ka bërë, por jo sjellja e tij. Ai shfaqet sç është. Kurse Zheji kërkon të shfaqet siç nuk është. Në thelb ai është po kaq fanatik sa i pari dhe e identifikon veten aq shumë me qeverinë dhe Berishën, saqë në një prej emisioneve të fundit ku kishte ftuar katër gazetarë, në një moment të rrallë sinqeriteti, i prekur që njeri prej tyre po kritikonte Berishën, tha, duke debatuar me të ftuarit, kuptohet se të gjitha fajet i ka Berisha, i dyti jam unë!...(Cfare vetdemaskimi mallengjyes!)Ky pohim s’ka nevojë .për koment. Natyrisht kjo është zgjedhja e tij. Ne nuk e kritikojmë Zhejin për zgjedhjen, por për sjelljen…Me publikun nuk mund të luash hipokritin, se blofon shpejt…
Date 3 Prill 2013, Shkruar per blogun Petrit Qejvani "Fjala ime"
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου