Çështja se a ka ndryshim midis shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë nuk është një çështje e pangacmuar në media. Sidomos kjo e artikuluar nga disa intelektualë shqiptarë të Kosovës, të cilët, duhet thënë, janë zëra në pakicë, që ngatërrojnë ndryshimet si diversitet natyral edhe brenda një njësie etnike me “identitetet e ndryshme” të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës. Nuk do shumë mund per ta kuptuar që shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës janë njëlloj shqiptarë, sepse kanë një gjuhë të përbashkët (shqipen) që është AND-ja e një kombi, se janë të një race, se banojnë në një territor dhe se askush nuk ka asimiluar njeri-tjetrin, sepse gjysma e njësisë të të njëjtit lloj nuk mund të asimlojë gjysmën tjetër. Këtu problemin duket se e ngatërron ekzistenca e shqiptarëve në dy degë (shtete) pas 1913. Një ekzistencë paralele në dy shtete , njëri shtet i pavarur (Shqipëria) dhe gjysma tjetër krahinë e një shteti dhe kombi tjetër (Federatës jugosllave). Pra,shqiptarët i ka përfaqësuar Shqipëria deri tash së fundi, kur fitoi pavaresinë Kosova. Nuk do shumë mend, gjithashtu, për ta kuptuar që midis shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës ka edhe ndryshime, siç ka midis gegëve ( veriorëve) dhe toskëve (jugorëve), siç ka ndryshime midis vlonjatëve dhe korçarëve (edhe pse janë toskë) siç ka ndryshime midis shkodranëve dhe tropojanëve (edhe pse janë gegë) , bile, edhe midis krahinave dhe fshatrave fqinjë me njeri-tjetrin në të folme (dialekte apo nëndialekte) në veshjet tradicionale, në të kënduar e deri te veçoritë zakonore. Dhe kjo është pasuri. Ky është diversiteti në unitet. Këtu çdo ndryshim konfirmon njësinë. Prandaj nuk duhet patur frikë të flitet për ndryshime, të cilat ekzistojnë dhe nuk e cenojnë substancën kombëtare. Mirëpo duket se ndryshimi për të cilin ata flasin apo duan të flasin është diçka e paqartë, e turbullt dhe duket më tepër një pozicion që vjen prej kompleksesh inferioriteti ose prej pretendimit për protagonizëm. Me sa duket, këtë ndryshim të papërcaktuar duan t’ia kundërvenë idesë së bashkimit. Sapo u artikulua ideja e bashkimit midis Shqipërisë dhe Kosovës, në fillim ne Kosovë ( Vetvendosja), por edhe në Shqipëri më pas (Aleanca Kuqezi), doli edhe teza e “ndryshimit” midis shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, si antitezë për bashkimin. Bashkohen ose jo Shqipëria dhe Kosova (ndonëse perspektiva e paevitueshme është bashkimi) shqiptarët e Kosovës janë po aq shqiptarë sa dhe shqiptarë e Shqipërisë. Për ta përligjur “ndryshimin” e tyre të padefinuar (të papërcaktuar) ata gjejnë “fakte” që nuk arrijnë të shndërrohen në argumente. Në këtë hulli është dhe shkrimi me titullin cinik ( për të mos thënë përbuzës) “Shqiptarçe flasin dhe vrasin” i autores Blerina Rugova Gaxha. ( ajo duhet ta dijë se shqiptarët flasin “shqip” dhe jo “shqiptarçe”). Pasi flet për identitete të mundshme “të ndara”mes shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë konstaton se kësaj teme tabu i shmangen studiuesit në Shqipëri dhe Kosovë. Ajo shkruan: “Por kanë ndodhur tri ngjarje të mëdha kulturore …. ku kosovarët u bënë fitues të garës së përbashkët Shqipëri- Kosovë, të cilat e kanë hapur dhimbshëm këtë temë” dhe pasi përmend Rona Nishliun në Eurosong ( ngjarje e bukur), një A.Zeka në “Big brother”, që nuk e di pse e quan ngjarje të madhe(!) si dhe një Rina në “Voice of Albania”, çmimi i parë. Këto ngjarje, sipas saj, nxorën në pah edhe debatet e vërteta të shqiptarëve andej e këtej kufirit, sipas të cilave rezulton se nuk jemi krejt Një. Nuk besoj të jenë këto ngjarje etalon për konluzione kaq “të rënda”. Dhe bazuar në rrjetet sociale ( të dyshimta e të pasakta) ajo thotë se shumë njerëz ( Sa? P.Q) nga Tirana nuk kanë hezituar të thonë se ishin mërzitur me fitoret Ronës (e pabesueshme), të Arbrit apo Rinës. Autorja kërkon dhe një debat për këtë çështje. ”Shumë politikanë, analistë, profesorë dhe publicistë ikin si prej dreqit nga ideja e debateve për diversitetin ose identitetin e ndryshëm kulturo- gjuhësor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë”. Mendoj se tri ngjarjet që përmend autorja e shkrimit nuk përbëjnë prova se shqiptarët nuk i duan kosovarët. Ato janë disa parapëlqime adoleshentësh (nuk dihet përqindja) që tregojnë tifozerinë, që gjithmonë është e njëanshme.Tek e fundit, ka tregues domethënës të dashurisë së shqiptarëve për kosovarët, që dihen tashmë. Por dhe fakti që ata fitojnë në mes të Tiranës tregon të kundërtën e asaj që pretendon autorja. Tri ngjarjet e mësipërme veç kanë qenë preteksti për të nxjerrë në pah “shqetësimet” dhe dilemat e vet autores së shkrimit. Prandaj, shqetësimi i saj dhe nëse mbështetet në disa “fakte” virtuale, është tejet i zmadhuar. Edhe ajo vet, me sa duket, vuan nga komplekset, nga ai i inferioritetit apo i protagonizmit, duke u nisur nga ideja e gabuar se në një bashkim të mundshëm Shqipëri-Kosovë, kush do të udhëheqë, pra cila do jetë lokomotiva, duke evidentuar edhe një herë vesin historik të shqiptarëve-grindjen në momente delikate. Ndaj,veç të tjerave, jemi keshtu si jemi. Por le të jetë e qetë artikullshkruesja: Lokomotiva e bashkimit do jetë patriotizmi. Zonja Gaxha e nxjerr “merakun” kur thotë se në aksin e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë ka vetëm një sens: nga Tirana në Prishtinë dhe jo anasjelltas. Nuk e di sa e vërtetë është kjo. Ndërkohë që askush më mend në kokë në Shqipëri nuk ka folur ndonjëherë për “fitore” mbi kosovarët.
Botuar me shkurtime per hir te standartit ne gazeten "Shekulli" 25 Korrik, 2012
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου