Παρασκευή 4 Ιανουαρίου 2013

FESTIM SHQIPTAR I VITIT TE RI





            Është vërtet e çuditshme si e promovojmë ne shqiptarët vitin e Ri. Të gjithë e presin me gëzim ditën e ndërrimit të viteve dhe vërtet në të ka diçka optimiste dhe njerëzore, bile përtejnjerëzore...Dhe secili popull ka diçka të veçantë në ceremoninë
e ardhjes së tij. Në shumë gjëra, në thelbin e saj, edhe shqiptarët festojnë si të tjerët.
            Por në dekorin e kësaj natë-dite, ne kemi një veçori tjetër: krismat. Ne festojmë trimërisht, të paktën si asnjë popull në Europë, në shtëpinë tonë të madhe, në të cilën ende s’kemi hyrë,
edhe për shkak të krismave...Tek ne dritave të natyrshme të
Vitit të Ri, u shtohen edhe “dum-dumet” e kapsollave plasëse, që nuk të lenë të qetë asnjë çast.Veçanërisht kur afron mesnata e 31 dhjetorit dhe nja 30 minuta pas saj krismat të kujtojnë një betejë të vërtetë guerrilesh urbane. Nga ballkonet dhe dritaret e
shtëpive arsenale të tëra “armësh festive” si fishekzjarre dhe kapsolla hidhen
krenarisht, jo vetëm nga fëmijë, adoleshentë dhe të rinj, por edhe prej fëmijësh 40-50 vjeçarë, që, me fishekzjarre e kapsolla në duar, konkurojnë më të rinjtë, fëmijët dhe nipat e tyre dhe, vërtet, veten nuk mund të mos e ndjesh krenar për sojin, të cilit i takon!...Bëhet aq tym dhe zhurmë, saqë është e pamundur të hapësh dritaren, pasi ajri i ndotur dyfish, prej gazrave kimike dhe zhurmës së shpërthimeve, të shqetëson, të merr frymën. Dhe, vërtet, duhet të jemi i vetmi vend europian, që e feston vitin e Ri kaq “ushtarakisht”. Kjo falë natyrës së racës sonë kreshnike, por edhe symbylljes së qeverive që, për hir të ca tregtarëve batakçinj, e lejojnë një gjë të tillë, në kurriz të humorit dhe shëndetit të qytetarëve korrektë. Megjithatë, ka zëra që thonë se kjo është më leverdi...
            Sikur të mbaronte natën e 31 dhjetorit, edhe mund të falej, por kjo histori vazhdon edhe 2-3 dite të tjera, sa të shpenzohen të gjitha “rezervat” e këtij arsenali. Kështu, sa zbret mbrëmja e ditës tjetër, hidhen sërish fishekzjarret dhe kapsollat e para, të cilat pasohen nga breshëri fishekzjarresh dhe kapsollash nga ballkonet dhe dritaret e tjera të lagjes, për t’i thënë komshiut përballë se edhe ne jemi trima dhe të armatosur, duke shqetësuar dhe duke krijuar ndiesinë e një lufte “për çlirimin e lagjes” nga pushtues të padukshëm. Dhe ky rit e ka zanafillën më herët, nga fillimi i 10 ditëshit të tretë të dhjetorit, kur nxënësit e shkollave, veçanërisht ata të 9-vjeçareve, i mbushin xhepat me kapsollat plasëse, që i hedhin nëpër shkolla si një argëtim tipik shqiptar. Dhe kjo bam-bumomani është bërë aq qytetare në çdo prag Viti të Ri, saqë ta hedhin kapsollën duke kaluar rrugës femije e adoleshentë, që pastaj futin duart në xhepa e rrinë seriozë për të parë efektin e heroizmit të tyre (!)- trembjen e ndonjë vajze, gruaje a të moshuari, e, sidomos të ndojnë njeriu, që vuan nga zemra.
            Duke dëgjuar këto krisma, edhe tani që po shkruaj këto radhë, më kujtohet ’97 dhe trishtohem. Dhe menjëherë më vjen ndërmend Konica me ato shprehjet e tij shpesh të hidhura në lidhje me disa cene të shqiptarëve e, veçanërisht, me atë që ne nuk jemi të qytetëruar sa duhet  (qe duhet kuptuar të prapambetur) dhe, ndonëse i shoh me rezerva disa prej vlerësimeve të tij, i jap plotësisht të drejtë. Mirëpo kulturimi e qytetërimi nuk vijnë vetiu. Ato vijnë me punë, me program dhe moral, por ato edhe duhet të edukohen prej atyre, që kanë marrë përgjegjësitë e drejtojnë këtë vend, sepse edukimi nuk vjen vetëm nga liria, por edhe nga kufizimi i lirisë, nga detyrimi ligjor, shtetëror.E pse lejohet importimi i kapsollave plasese? Dhe detyrimi nuk është doemos diktaturë...Dikujt apo shumëkujt kjo mund t’i duket një gjë pa rëndësi, një gjë e vogël në krahasim me problemet që ka shoqëria shqiptare sot. Dakort, por ca gjëra të vogla fshehin gjëra të mëdha.
            Sidoqoftë ndonjë mund të më shpallë dhe armik të Vitit të Ri shqiptar, meqë
dua një Vit të Ri të bukur, festiv, të qetë, me sa më shumë drita e ngjyra si në Evropë, të cilën e duam kaq shumë, por që ende nuk dime si ta duam....
Dhe jo me krisma, si në një vend të botës së tretë...

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου