Κυριακή 7 Ιουλίου 2013

KUR FITOJNË QYTETARËT

  KUR FITOJNË QYTETARËT

                                                                        Nga Petrit Qejvani

            Para disa ditësh Gjykata administrative e Stambollit vendosi anullimin e vendimit të qeverisë dhe kryeministrit arrogant Erdogan për ndërtimin e një kompleksi tregtar në sheshin Taksim, një shesh historik, duke mbrojtur kështu gjelbërimin e parkut dhe vlerat e trashëgimisë kulturore, sikundër shprehej gjykata në vendimin e saj. Në morinë e lajmeve të tjera më të zhurmshme ky lajm kaloi thuajse pa u vënë re në Shqipëri.Kurse, në të vërtetë, ky është një lajm i mirë që nuk duhet të kalonte pa jehonë tek ne dhe që na vjen, jo nga një demokraci e madhe europiane, por nga një vend me demokraci problematike, ku autoritarizmi qeveritar ngjan kaq shumë me atë të kryeminstrit dhe qeverisë sonë në ikje.
            Këtë lajm personalisht e përjetova me një ndjesi të dyfishtë: atë të kënaqësisë që fituan qytetarët mbi arbitraritetin qeveritar dhe ndjesinë e keqardhjes që ne, si shoqëri, nuk e kemi kurajën dhë forcën e nevojshme t’i imponohemi qeverisë, kur kemi të drejtë. Në këtë kuptim  ky është një lajm i rëndësishëm mësimdhënës.
            Mbi të gjitha, ai është dhe duhet të jetë frymëzues për ne shqiptarët. Paçka se ky frymëzim kësaj here vjen nga Lindja dhe jo nga Perëndimi. Qytetarët e Stambollit mbrojtën një shesh, kurse ne duhet të mbrojmë gjithë Shqipërinë, që po shkatërrohet nga veriu në jug për interesa të pistë të disa klaneve të babëzitura, aleate me qeverine. Sigurisht, ky vendim nuk ishte një shpërblim nga zoti, as si dhuratë e gjykatës. Ai erdhi pas protestash të përgjakshme, ku forcat e rendit dhe protestuesit ishin në një luftë nervash dhe provash force, ku pati edhe të vrarë e të plagosur. Ky ishte çmimi që duhej paguar. Por protestuesit nuk u tërhoqën. Protestuesit nuk bënë asnjë kompromis me qeverinë, duke qenë të qartë dhe të vedosur në kërkesat  tyre. Dhe prandaj fituan.
            Një e drejtë apo kauzë nuk mjafton vetëm të shpallet. Ajo fitohet, kur di ta mbrosh deri në fund. Ky është mësimi  kryesor, që na vjen nga Turqia. Është lajm i mirë sepse tregon se:
            E para,  fituan qytetarët përballë qeverisë. E dyta, ky duhet të jetë mësim për qytetarët  shqiptarë se, për të fituar të dejtat e tyre, duhet të luftojnë me guxim qytetar dhe e treta, ky vendim duhet të  jetë  një mësim edhe për gjykatat e nënshtruara  dhe servile shqiptare para qeverisë për t’u bërë gjykata të vërteta. Aq më tëpër kjo fitore e qytetarëve turq merr vlerë të shtuar dhe tingëllon e fuqishme, po të krahasohet me kontekstin shqiptar, me batërdinë ambjentale dhe shpartallimin e territorit nga ndërtimet pa leje të gjthfarë të “fortësh” që, në aleancë me qeverinë qendrore dhe lokale, po shkatërrojnë  për ditë thesare të natyrës, duke prerë pemë dhe duke mbjellë ngrehina betoni në vendet më të bukura, duke vrarë përfundimisht edhe atë pak gjelbërim, që ka mbetur.
            Sigurisht, jemi në demokraci, por kjo nuk do të thotë se me hedhjen e votës automatikisht problemet i zgjidhin qeveritë, të cilat shpesh abuzojnë me pushtetin për hir të interesave korruptive.
            Qytetarët duhet të jenë vigjilentë. Ata duhet të mbajnë në kontroll të vazhdueshëm qeveritarët e tyre,nëse duan të kenë dinjitet. Qytetarët duhet ta mësojnë njëherë e mirë se të drejtat fitohen me luftë qytetare dhe jo me lutje. Këtë e dëshmojnë shumë ngjarje të kohëve të fundit kudo në botë. Por këto mësime na vijnë me forcë dhe qartësi tani së fundi, për “cudi”, nga vende myslymano-arabe.
            Kjo tregon se sa e prapambetur është lëvizja qytetare në Shqipëri dhe sesa e kopromentuar dhe e pazë është e ashtuquajtura shoqëri civile, e tulatur dhe e futur në sqetullat e qeverisë, sesa e korruptuar dhe frikacake është klasa e intelektualëve shqiptarë.
            Sidoqoftë, rasti i mësipërm është një leksion domethënës për ata që duan të mos nëpërkëmben nga qeveritë e tyre.
            Shqiptarët duhet ta braktisin përceptimin e gabuar se qeveritë  janë si  prindër për qytetarët, aq më shumë qeveritë nuk janë asnjëherë prindër të mirë…Bile as dado.    Ne kemi ëndërr Europën. Por qytetarët europianë i kanë fituar të drejtat dhe dinjitetin  e tyre me luftë, me protesta dhe revolta , me përleshje, kur është dashur.. Si edhe në Turqi. Kjo Shqipëria jonë  nuk të lejon të jesh optimist, për fat të keq. Sepse ky realitet i përgjumur social demoralizon edhe më optimistin.
            Ne nuk jemi një shoqëri indiferente,sikundër është thënë aty-këtu. Ky do të ishte luks. Indiferentizmi është karakteristikë e vendeve të zhvilluara me standarte relativisht të lartë jetese.
            Ne jemi një shoqëri e nënshtuar, sepse ne e kemi të ngordhur nervin e protestës qytetare për shkak se jemi shumë të partizuar. Përjashto disa zëra të vetmuar. Dhe sa kohë do jetë kështu, qeveritë dhe “të fortët” e lidhur me qeveritë do të bëjnë qejf… Ndërsa ne do kënaqemi që do na lejojnë thjesht të marrim frymë…


6 korrik 2013

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου