STOP NJË ÇAST POLITIKËS, TË BËHEMI
QYTETARË!
Nga
Petrit Qejvani
Në këto ditë me temperaturë të lartë
media e shkruar dhe ajo televizive, megjithëse japin edhe pamje nga plazhet për
të na freskuar sadopak imagjinativisht, nuk largohen dot nga fonderia e politikës,
ku derdhen kallëpet ë politikave dhe politikanëve rishtarë, si në parti, ashtu
dhe në qeveri. Të vjetër ë të rinj, të mundur a të dorëhequr, fitimtarë ende pa
çelsat e qeverisë në dorë dhe të mundur, por me çelsat ë shtetit në brez , të
gjithë janë “populli” që popullon
hapësirën mediatike gjerë e gjatë. E di që politika është kurthi, por dhe
gjahu më i majmë i medias. Por a do merremi edhe me përditshmërinë tonë? A do
kujtohemi për mjedisin ku frymojmë, ku lëvizim, ku jetojmë?A do të kujdesmi për
cilësinë e jetës sonë?
Në këto ditë korriku, duket se askujt
nuk i shkon ndër mend fare për “hije” dhe as kujtohen tek dëgjojnë e shohin
sëpatat dhe rruspat barbare që po shkulin dhe pemët e fundit në qendër të
kryeqyetit, diku në Korçë, ku pishat e prera duken si njerëz të ekzekutuar pas
një masakre, ashtu si edhe në qytetet e tjera!.A nuk po shkretohen qytetet
tona? Nuk i krahasoni pak me ato të vendeve të tjera?
A e vlen të vazhdohet me Lulin, me
Doktorin, Olldashin,Topallin, Patozin, Lefterinë, me qeverinë e re , të cilën nuk e kemi akoma e ku di unë tjetër.? Asnjë
prej tyre nuk prodhon oksigjen për mushkëritë e qytetarëve. Ata janë të
pasur.Oksigjeni i tyre është paraja. Secili prej tyre, megjithë rëndësinë që ka,
nuk vlen sa një pishë dhjetravjeçare në një vend ku betoni terrorizon
gjelbërimin. Por këtë ata ë mësojnë kur kanë përballë qytetarë të civilizuar
dhe jo skllevër partie.
Në këtë kasaphanë të vërtetë dhe jo
figurative media ë çdo lloji duhet të ngrinte një stuhi të paparë sulmesh ë
denoncimesh kundër atyre që kanë lejuar apo urdhëruar prerjen e pemëve në
qendër të kryeqytetit , pavarësisht alibive hileqare dhe korruptive, duke
luajtur me besimet dhe besimtarët.
Krimet ambientale janë ndër më të rëndat që
duhen ndëshkuar, të bëra këto 23 vjet katrahurë “demokratike”. Është e
habitshme sesi të gjithë, qytetarë, media shoqëri civile (përjashto politikanët
që nuk duan t’ia dinë) bëjnë sikur nuk shohin, sikur nuk dinë të krahasojnë
qytetet tona me ato të botës plot parqe e lulishte në mes të qyteteve me hektarë të tërë gjelbërim. Të tjerët po gjelbërojnë
shkretëtirat, kurse ne po shkretëtirojmë një vend mesdhetar! A nuk e shohim të
gjithë kur kthehemi nga udhëtimet, qoftë dhe nga vendet fqinje, që pikërisht sa
futesh në tokën tonë gjelbërimi mpaket, thahet, pritet si me thikë? Dic
komentojmë me miqtë dhe pastaj harrojmë, përshtatemi me gjëndjen, na mbyt
rutina, dorëzohemi. Ndjehemi të pafuqishëm të bëjmë dicka.Kështu është kultivuar me dekada njeriu pasiv shqiptar. Pa
le të ashtuquajturën shoqërinë civile shqiptare të korruptuar, fasadë e
qeverive si dhe inetelektualët pa shtyllë kurrizore të lakuar sa andej këndej. Për
të mos folur për shakaxhinjtë e “pavarur”!. Dhe mediat vazhdojnë avazin : Zgjedhjet në PD
ishin vjedhje (prandaj s’ka si bën zgjedhje të ndershme eletorale kjo parti),
mandej kjo parti do përçahet (gjë aspak e pamundur) dhe lenë si qyqarë pa
mbështetje një çetë të vogël ambjentalistësh sa tragjikë, edhe komikë (sepse
janë të vetmuar dhe të pafuqishëm para betonit të korrupsionit qeveritar), që
nuk përtojnë të thërrasin, kur vritet gjelbërimi, që kërkojnë të sensibilizojnë
shoqërinë shqiptare pa nerv qytetar, një shoqëri e nënshtruar, jo indiferente
(indiferentizmi do të ishte luks në këtë rast, sepse indiferentizmi është
veçori e vendeve të zhvilluara me standarte relativisht të lartë jetese.) Po kujt t’i flasësh, thuaj! Veç zëra
të vetmuar aty-këtu. Askush s’të dëgjon. A nuk është ky një turp?!
Çfarë qytetarësh jemi ne? Mjafton
një kostum firmato, një makinë, një minifund, një kafe në Rogner apo te Blloku
dhe ca trukim fytytës për të qenë qytetar modern europian?!
Nuk krahasohemi dot as me turqit për kurajën qytetare (kujto demonstratat në
sheshin Taksim që e detyruan kryeministrin arrogant Erdogan të tërhiqet). Nuk
kam asgjë me turqit, por ata nuk janë një demokraci pararojë, që të shërbejë si
model për ne.
Njëlloj si 70-80 vjet më parë
shoqëria shqiptare vegjeton, e lodhur dhe e poshtëruar historikisht nga
qeveritë. Për fat të keq ka mbetur aktuale
thirrja e Migjenit ( megjithëse borgjezët hajdutë shqiptarë nuk e duan Migjenin
sot) për përgjumjen e shoqërisë shqiptare të kohës së vet, kur shkruante: “O si
nuk kam një grusht të fuqishëm\ malit që s’bzan në zemër me ja njeshë…” Dhe sa
kohë do duhet që mali të “bzajë”? Por, para se të bzajë mali, duhet të bzajnë
intelektualët, sepse ata janë lokomotivat e shoqërisë. Si në vitet ’30. Ku janë intelektualët e sotëm
krahasuar me ata të viteve ’30 ? Ca liliputë, pa sovranitet dhe integritet
moral, që lëpijnë sot atë që pështynë dje. Prandaj qytetarët nuk kanë modele
për të ndjekur. Një shoqëri, që i mungojnë modelet (pozitive), do rropatet
gjatë në rrugën e progresit e qytetërimit. Kur do të vijnë ata?
Dhe sa kohë do kalojë që të gjithë ne të bëhemi njëmend qytetarë?
Botuar ne gazeten Tema, 1.08.213
Botuar ne gazeten Tema, 1.08.213
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου