IDENTITETI
KULTUROR I SHQIPTARËVE
Të nderuar kolegë,
Populli shqiptar është një ndër
dy popujt më të vjetër të gadishullit të
Ballkanit, së bashku me grekët. Paraardhësit e tij gjatë shekujve nuk janë
thirrur me emrin e sotëm shqiptarë, por me emra të ndryshëm.Territori i vendit
tonë, që prej kohës kur dëshmitë historike (arkeologjike dhe gjuhësore) bëhen
më elokuente, ka qenë banuar nga ilirët .(Dhe kjo prej mijëvjeçarit të dytë
para erës sonë). Gjatë Mesjetës banorët e Shqipërisë quheshin arbëreshë, emër
që e mbajnë edhe sot shqiptarët e Italisë, që banojnë në Kalabri e Siçili si
dhe shqiptarët e Greqisë, ndërsa në kohën e re e quajtën veten shqiptarë
dhe vendin e tyre Shqipëri.
Duhet pohuar se identiteti kulturor
i shqiptarëve dhe kultura e tyre në përgjithësi janë më të gjera se kufijtë e
sotëm të shtetit shqiptar dhe kjo jo thjesht në kuptimin figurativ, pasi
kultura e një populli gjithnjë është më e madhe se kufijtë e tij shtetërorë, por sepse shteti i sotëm
shqiptar është vetëm gjysma e kombit shqiptar si territor dhe si popull dhe
pra, edhe si kulturë, si krijmtari .( Dihet që kultura kombëtare është shumë
dhe esencë e kulturave të trevave të ndryshme të një vendi dhe një populli).
Natyrisht, të flasësh për
identitetin kulturor të shqiptarëve në një ligjëratë modeste është e vështirë, pasi
vet tema është e pashtershme dhe, së dyti, se për ju , që dini shumë pak për
Shqipërinë dhe sidomos për kulturën e saj, do të ishin më tepër të nevojshme
fakte, që do t’ju informonin shkurt për atë që ju do të donit të njhnit, pa
qenë nevoja për analiza të hollësishme, të pamundura në pak faqe. Për t’ju
ndihmuar që të kuptoni ato që do të përmendim më poshtë është e nevojshme, shumë
shkurt, të paraqesim pikat kulmore të historisë së popullit shqiptar.
Historia e popullit shqiptar dhe e
kulturës së tij është plot paradokse. Duke qenë një ndër popujt më të vjetër të
Ballkanit (gjë që pranohet gjerësisht nga albanologë e studiues të shquar të
huaj dhe shqiptarë) në të njëjtën kohë është shteti më ri në Europë. Fiton
pavarësinë më 1912 pas thuajse 5 shekujsh të pushtimit turk.
Ndërsa vazhdimësia e tij në trojet
aktuale është mbi dymijë vjeçare, libri i parë
shqip është
ai i vitit 1555,”Meshari”i Gjon Buzukut.
Shkolla e parë shqipe është hapur në Korçë, më 7mars 1887, ndërsa alfabeti i
sotëm është miraruar më 1908 në
Kongresin e
Manastirit, qytet që sot është pjesë e shtetit maqedon. Të gjitha këto jemi të
detyruar t’i përmendim për të kuptuar sesa e vështirë ka qenë që ky popull të
mbijetonte e të krijonte një kulturë shpirtërore e materiale, që do të bëhej
mburoja e tij pas invazioneve të njëpasnjëshme në histori.
Faktet e përmendura më sipër do të
kërkonin polemika e ballafaqime. Ato, me
të drejtë , mund të lindin shumë pikëpyetje dhe vështirë të japësh përgjigje të
saktë për secilën. Por një përgjigje të përgjithme , që gjithsesi për ju mund
të tingëllojë disi e çuditshme, mund të
japim: Shqipëria dhe shqiptarët kanë patur një fat dramatk historik.Vetëm në
këtë kontekst mund të shpjegohen ato që u thanë më lart. Ata kanë qenë objekt i
sulmeve e pushtimeve të pandërprera deri në vitin 1944, kur Shqipëria u çlirua
përfundimisht. Sidoqoftë, fatal për kulturën shqiptare ka qenë pushtimi i gjatë
turk prej afro pesë shekujsh, që i preu Shqipërisë lidhjet e natyrshme me
Evropën dhe krishterimin.
Megjithë këtë duel të pafund midis
luftës për asimilim të të huajve dhe reziste-
cës
shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve, një ndeshje sfilitëse kjo, prapë se
prapë,
kultura
popullore, që është dhe baza e kulturës kombëtare, mbijetoi. Ajo mbijetoi në
artin e madh të popullit, në këngët dhe vallet popullore, në legjendat dhe
përrallat e mrekullueshme. Mjafton të pohojmë se shqiptarët kanë një nga eposet
më të mëdhenj të
Ballkanit
,”Eposin e kreshnikëve”, që është një cikël këngësh fantastike legjendare, kronikë
e jetës arkaike shqiptare, një enciklopedi e jetës, punës, luftës dhe
dashurisë.
Folklori shqiptar është shumë i
pasur. Pjesa më e madhe dhe esenciale e tij i rezistoi asimilimit
turko-aziatik. Në mungesë të gjuhës së shkruar, si për kompensim,
shqiptarët
krijuan një folklor të madh, si autobiografi të tyre. Ata që kanë rënë në
kontakt me të janë befasuar nga bukuria , eleganca dhe delikatesa e tij.
Muza e shqiptarëve shpesh ka qenë e
egërsuar nga hallet dhe brengat e mëdha,
e përshkuar
nga një epicitet tragjik , sepse shpesh ajo ka qenë e përgjakur nga
invadimet e
huaja. Megjithatë, gjersa shqiptarët mbijetuan, kjo i dedikohet identitetit të
tyre kulturor, vetdijes së tyre të lartë si popull, kulturës së tyre të lashtë.
Lidhur me specifikat e kësaj kulture, shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare,
i përkthyer në shumë gjuhë të botës(edhe në italisht)në essenë e tij të
njohur”Autobiografia e popullit në vargje”ka
shkruar:” Për shumë shekuj me radhë poezia popullore ka qenë për njeriun
shqiptar kronikë e jetës së tij, historia, dijet, morali, urtësia, arkivi, kujtesa
kombëtare”.
Identiteti i kulturës shqiptare
buron në radhë të parë nga ajo që atë e krijon një popull i veçantë-shqiptarët,
që ka gjuhën e vet, historinë e vet, etikën , zakonet dhe moralin e vet. Identiteti
shfaqet në radhë të parë në atë që gjithçka që krijohet, ekzekutohet dhe shfaqet shqip (në
gjuhën shqipe). Ai shfaqet në mënyrën origjinale të jetesës, në zakonet e
veçanta në ngjarje të rëndësishme të jetës së njeriut, si në ceremonitë e
dasmave dhe vdekjeve, në mënyrën e të këndurit të këngëve dhe ekzekutimit të valleve.
Për shembull: Veriu i Shqipërisë këndon solo apo duet, shoqëruar dhe me çifteli
ose lahutë (vegla muzikore popullore me tela të ngjashme me mandolinatat ose
violonçelat), ndërsa Shqipëria e jugut këndon në grup, ku secili ka detyra të
përcaktuara. Këtu evidentohet solisti dhe isoja, mërmërima e grupit kur solisti
këndon, që është një miratim i solistit, një “visto” me fjalë të tjera. Një
krahinë e veçantë, Labëria, Vlora, karakterizohet nga kënga polifonike. Grupi e
këndon këngën pa vegla muzikore, por
harmonizimi i zërave është perfekt. Kjo ka tërhequr vëmendjen e muzikologëve të
huaj. Kurse në zona të tjera kënga polifonike jugore shoqërohet edhe me vegla
muzikore (Orkestër). Forma e të kënduarit pa orkestër e grupit është shumë e
lashtë.
Kjo kulturë origjinale shfaqet
gjithashtu në vallet popullore, në kostumet e mrekullueshme ku dominojnë ngjyrat
e forta (e kuqja, e bardha , ezeza) dhe kombinimet plot kontraste. Është për
t’u theksuar se, ndonse një kulturë unike nga përmbajtja, nga thelbi , është
shumë diverse për nga format e shprehjes. Kjo duket kudo: edhe në letërsinë, edhe
në muzikën , edhe në pikturën shqiptare.
Zotërinj kolegë,
Shqipëria
është një vend i vogël, por me një larmi të madhe shfaqjesh, qoftë në natyrën e
vendit, qoftë në kulturë. Shqiptarët, në
raport me madhësinë e popullit dhe
vendit,
kanë një prodhimtari kulturore të admirueshme. Por identiteti kulturor shfaqet
jo vetëm në
atë që quhet bota kulturore shqiptare në tërësi, por edhe në individualitetet e
personalitetet e shquar të historisë e të kulturës që ka nxjerrë Shqipëria.
Le të përmendim disa prej tyre:
Gjergj Kastrioti Skënderbeu-heroi kombëtar i shqiptarëve,(1405-1468).
Për 25 vjet rresht udhëhoqi shqiptarët në beteja të pabarabarta heroike me
hordhitë e sulltanëve tuq, duke gozhduar forcat e tyre kryesore në Shqipëri dhe
duke penguar marshimin turk drejt Europës së krishterë dhe prandaj papa e
quajti Skenderbenë “kalorës i krishterimit.”
Humanisti i madh Marin Barleti, që ka shkruar e botuar në Venedik veprën
“Rrethimi i Shkodrës”(De obsidione Scodrensi,Venedik 1504),”Historia e jetës
dhe bëmave të Skënderbeut”,Istoria de vita et rebusgestis Scanderbegi,Roma
1510.
Po kështu
një tok klerikësh katolikë të ndritur si Frano Bardhi, humanist, leksikograf, botoi
në Venedik veprën “Gjergj Kastrioti i Epirit, i quajtur përgjithësisht
Skënderbeg, princ shumë trim e i pathyeshëm i shqiptarëve(Georgius Castriotes
Epirensis, vulgo Scanderbeg, Epirotarum Princeps fortissimus ac
invincitivimus); Pjetër Budi, klerik katolik dhe poet , botoi në Romë tri vepra
në gjuhën shqipe:”Doktrina e kërshtenë “1618,
“Pasqyra e të rrëfyemit”,1621,dhe” Rituali roman” 1621; Pjetër Bogdani , klerik katolik, shkrimari më i shquar i
letërsisë së vjetër shqipe, poet. Studioi në Romë, ku u doktorua në teologji
dhe filozofi.Vepra e tij “Çeta e profetëve “(Cuneus prophetarum) u botua më 1685
në Padova. Më 1677 ishte kryepeshkop i Shkupit.
Në pikturë: Onufri (Shek. i 16-të) i
shquar në pikturën murale dhe atë të ikonës, çoi më tej arritjet e artit
paleolog. Pikturoi afresket e mëdha“Pantokratori”dhe”Shën Mëria.”Permendet për
të kuqen e paimitueshme.
Ibrahim Kodra, piktor i famshëm
modern, postkubist. Jeton e krijon në Itali (Milano). Një grup poetësh e
personalitetesh të mëdha të Rilindjes shqiptare si N.
Frashëri
,Gjergj Fishta, Migjeni, poetë të përkthyer dhe jashtë Shqipërisë.
Fan Noli, prift ortodoks, një figurë
brilante e letërsisë dhe kulturës
shqiptare, poet, përkthyes, kritik arti, politikan, oraror, kryeministër i së
parës qeveri demokratike që doli nga revolucioni demokratiko-borgjez i 1924.
Shqipërues i Shekspirit dhe Omar Khajamit, autor i kritikës së famshme “Betoveni
dhe revolucioni francez”të vlerësuar nga
B.Shou, dramaturg i njohur anglez.
Jeronim de Rada:(1814-1903) themelues
i kulturës arbëreshe në Itali, poet shquar,
estet, publicist. Nxori të parën gazetë shqiptare “L’albanese d’Italia”. Po
kështu Gavril Dara, poet arbëresh (Siçili), luftëtar për bashkimin e Italisë. Mik
i Garibaldit, i cili e emëroi sekretar të përgjithshëm në qytetin Xhirxhenti më
1860. Më 1862 këshilltar i prefekturës së Palermos.
Xhon Belushi, aktor i njohur
amerikan me origjinë shqiptare.
Aleksandë Moisiu, aktor më famë
botërore me origjinë shqiptare, ka luajtur me sukses në teatrot e Vjenës dhe
Berlinit në vitet 30 të këtij shekulli.
Kultura dhe letërsia shqiptare
përfaqësohen sot denjësisht nga shkrimtari i shquar I.Kadare, disa herë
kandidat për çmimin Nobel, i botuar edhe këtu, në Itali me veprat
“Kështjella”dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur.”Ky autor është përkthyer në
mbi 30 gjuhë. Një shkrimtar tjetër i njohur shqiptar është dhe D.Agolli me
romanin satirë “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo,” të botuar e vlerësuar në
Francë e Gjermani, që e gjetëm edhe këtu në Leçe,etj.
Të nderuar kolegë,
Kjo ishte shumë shkurt ajo që unë u
përpoqa t’ju bëj të njohur në lidhje me identitetin e kulturës shqiptare. Kuptohet
që, siç e përmenda edhe krye të këtij kumtimi informativ, është e vështirë të
trajtosh bindshëm një temë të tillë në pak faqe, aq më pak para jush, që, për
arsye të shumta, e sidomos për atë të izolimit për një kohë të gjatë të Shqipërisë
nga bota perëndimore, i keni njohuritë
për këtë kulturë, të pakta.
Do të isha i lumtur nëse, sado pak, kjo
do t’ju ngjallte më tej kuriozitetin për kulturën shqiptare, kontakti me të
cilën nuk do t’ju zhgënjejë.
Petrit Qejvani, 24 tetor 1994, Santa Cesarea Terme, Lecce -Itali
(Mbajtur në takimin e përbashkët të
mësuesve dhe pedagogëve shqiptarë dhe italianë në kuadrin e seminarit “Dialog
midis dy kulturave”) nën kujdesin e shoqatës
“Agimi”
P.S. Shih për këtë gazetën “La
gazzetta del mezzogiorno,”26 tetor 1994 f.12